Një material nga Dr. Manolita Hida

Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh

Termi “konflikt” si një derivacion i termit dhunë por jo i barasvlefshëm me të mund të përkufizohet si një gjendje shqetësimi e cila vë në rrezik harmoninë e individit dhe të statusit të tij, por mund të shihet dhe si mosmarrëveshje, pasiguri që individi ka me veten e tij ose të afërmit e tij. Por ajo që mund të thuhet me siguri është se gjithsecili ndjen dhe është gjendur në situata konfliktuoze, madje, qyshse kur është lindur. Nëse do t’i referoheshim Eriksonit foshnja me këtë dimension përballet që në stadin e tij të parë ku përballë shtohet kriza “besim-mosbesim”.

Por ajo që kam zgjedhur të trajtoj është konflikti midis fëmijëve të së njëjtës familje; më konkretisht xhelozisë dhe rivalitetit midis fëmijëve, pasojat që ajo shkakton dhe disa këshilla sesi mund të kalohet kjo fazë pa kaluar në komplekse dhe çrregullime të cilat mund të vihen re në moshën e rritur.

Atmosfera familjare është një ndër përcaktuesit ose ndikuesit kryesor në krijimin e një personaliteti të shëndoshë.

 “Kështu, fëmija i cili varet plotësisht nga të rriturit bëhet qorr dhe shurdh ndaj jetës, ndërkohë që ai ka shumë nevojë të komunikojë. Ai e lë veten ta mbysin dhe mbyll heshtazi e thellë në vetvete dëshirat, kënaqësitë dhe mundimet. Ai bëhet “i urtë”, d.m.th pasiv dhe nuk komunikon më.” F.Dolto

Por lindja e një vëllai ose motre të vogël sjell çoroditje në jetën e të madhit, i cili deri atëherë ka jetuar pa rival. Në rastet kur diferenca midis fëmijëve është relativisht jo e vogël, fëmijës më të madh mund t’i atribuohen nga prindërit dhe të afërmit por edhe nga vetja role që ai nuk i ka dhe nuk do t’i ketë derisa të krijojë familjen e tij/saj. Pra ai/ajo shihet si një “baba/nënë e vërtetë” në miniaturë. Problemi që lind në këtë pikë është se vetë fëmija më i madh lë pas dore aktivitetet e tij normale që zhvillonte para se të vinte bebja, të tilla si loja apo qëndrimi me bashkëmoshatarët e tij, pra ai nuk është më vëllai ose motra. Nga ana tjetër bebja gjendet në një marrëdhënie me shumë prindër dhe e ka të vështirë të krijojë lidhjet atashuese me prindërit e vërtetë.

Ndërsa në rastet kur difernca midis lindjes së fëmijës së parë dhe të dytë nuk është e madhe dhe që mund të variojë nga 18 muajshe deri 5 vjeç, e vë fëmijën e parë përpara një prove të madhe: për herë të parë, në ambjentin e tij rrethues, dikush tjetër është më i vogël dhe tërheq vëmendjen e “gjithë” të rriturve. Në këtë fazë ai kalon një periudhë të vështirë me humbje oreksi por edhe regresi në moshë. Ai e duron të porsaardhurin meqë vetëm kështu i shpëton qortimeve, mirëpo xhelozia që nuk shfaqet më, është njëkohësisht më e shurdhët dhe më e thellë, dhe e bën fëmijën që për vite më radhë të jetë i pasigurtë ndaj sjelljeve të padrejta të të rriturve, sidomos kur padrejtësia është e drejtuar ndaj tyre. Ai/ajo është perandori i rrëzuar nga froni, i cili në jetën e rritur përballet me sfida, i kërkon ato dhe nëse nuk i kapërcen, ndjenjat e inferioritetit bëhen mbizotëruese.

Ndërsa fëmija i dytë zgjedh si model më të rriturit, ai nuk rrëzohet kurrë nga froni, nuk ka etjen për pushtet dhe konkuron me të tjerët.

Fëmija i tretë nuk rrëzohet kurrë nga froni, kërkon vazhdimisht vëmendje por edhe mund të llastohet shumë.

Fëmija i vetëm, zakonisht janë të ndryshëm nga të tjerët, janë individualist dhe kërkojnë perfeksion dhe aprovim. Janë të kufizuar nga të paturit të një motre ose vëllai dhe konkurrenca e vërtetë do të zhvillohet me fëmijën e tij pasi kjo i krijon përshtypjen se fëmija zë vendin më të rëndësishë, sidomos kur partneri e do fëmijën më shumë se tjetrin.

Pyetja që lind në këtë moment është se : “Çfarë duhet bërë për të shmangur konfliktin ?”

Në asnjë rast nuk duhet lejuar ndrydhja e ndjenjës që fëmija ka por duhet lejuar që ai të shprehë vuajtjen, mendimin, inatin dhe xhelozinë që ka (edhe kur thotë se nuk e do bebin, do ishte më mirë që ai të mos kishte lindur fare), pa i hequr vlerësimin që ka për veten. E njëjta gjë mund të bëhet edhe me më të voglin.

Pra duhet dëgjim i mirë dhe këshillim në sensin që t’i “qash hallin” përsa kohë fëmija vetë nuk e ka gjetur zgjidhjen duke e inkurajuar që t’ia dalë mbanë vet, edhe në të ardhmen kur të hasë vështirësi të tilla, por që kurrsesi nuk duhet luajtur roli i policit dhe i drejtësisë apo duke dënuar fëmijët në kuptimin hakmarrës për zënkat ose dëmet e shkaktuara, por duhet të ndihmojmë riparimin e fajit ose të merren me diçka tjetër në vend që të zihen me njëri-tjetrin, edhe shembujt personalë mund të jenë efektivë.

Këto këshilla dhe marrëdhëniet e kujdesshme prind-fëmijë mund të shmangin urrejtjen që mund të lindë në moshë madhore midis fëmijëve si dhe vetë-shkatërrimin e tyre si pasojë e ndjenjave të forta të inferioritetit.

27 Nëntor 2008