Një shkrim nga MSc. Elona Mustafaraj

Psikologe Shkollore dhe Këshillimi

Sot, fëmijët dhe të rinjtë janë protagonist të përdorimit të internetit, dhe jo vetëm konsumatorët pasiv të tij.  Në këto kohë të Pandemisë botërore, interneti u kthye në një mjet komunikimi e argëtimi në mbarë botën.  Ai tashmë është një nevojë e domosdoshme.

Përpos, zhvillimeve të  vrullshme të  teknologjisë në vitet e fundit, fëmijë  mbeten më të rriskuarit  ndaj risqeve të shfaqura si rrjedhojë e lundrimit jo të sigurt  në internet.

Bazuar në të drejtat  themelore, fëmijët dhe të rinjtë  kanë të drejtë:

  • Për të mos u shqetësuar, ofenduar apo ngacmuar nga përdoruesit e tjerë të internetit.
  • Të komunikojnë dhe gjithashtu të argëtohen.
  • Të marrin informacione dhe të ketë përmbajtje të përshtatshme për moshën e tyre.

Pavarësisht asaj që shkollla mund të bëj në edukimin e  përdorimit të sigurtë të internetit, koha më e madhe e përdorimit të tij mbetet ajo e kaluar në shtëpi.  Në këtë kuadër prindërit ndeshen me sfidën e monitorimit dhe menaxhimit të kohës dhe pse jo rrjeteve që fëmijët dhe të rinjtë përdorin. Po rëndom lind pyetja a e dinë vërtet prindërit se çfarë fëmijët e tyre rrezikojnë në internet? Për të gjithë prindërit materiali i mëposhtëm synon të sigurojë informacionin  e nevojshëm që mund t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë.

Cyber-bulling

Cyber bullying është terminologji që përdoret kur njerëzit përdorin internetin për të kërcënuar, ngacmuar, apo poshtëruar dikë duke dërguar mesazhe,fotografi dhe video. Disa shembuj të cyberbulling janë:

  • Tallje e përsëritur ndaj një personi duke përdorur nofka dhe epitete;
  • Dërgimi i përmbajtjeve të turpshme, fyese dhe kërcënuese nëprmjet aplikacioneve online të ndryshme;
  • Dërgimi ose postimi i thashethemeve në lidhje me një person për të dëmtuar reputacionin e tij/saj;
  • Hapja e llogarive në rrjete të ndryshme në emër të dikujt tjetër dhe postimi i përmbajtjeve dhe materialeve me qëllim dëmtimin e reputacionit të tij/saj;
  • Postimi dhe ndarja e sekreteve, informacioneve të turpshme apo imazheve online;
  • Postimi i fotove dhe videove të dikujt pa pëlqimin e tij/saj;

Grooming (abuzimi )

Është përgatitja dhe manipulimi psikologjik i një fëmijë me qëllim shfrytëzimin seksual.

  • Hapi i parë që bën një groomer (abuzuesi) është fitimi i besimit të fëmijës me qëllim paraqitjen veprimeve të tij si të dobishme për vetë fëmijën;
  • Kjo mund të ndodhë në kontekstin e komunikimit privat nëpërmjet programeve të komunikimit (messenger, dhoma chati etj);
  • Mund të ndodhe dhe në rrjetet sociale. Një groomer (abuzues) mund të manipulojw të dhënat e tij në rrjetet sociale për të krijuar më lehtë marrdhëniet me fëmijët;
  • Qëllimi i këtyre veprimeve i një groomeri është që të rregullojë një takim me fëmijën ose ta manipuloje atë me qellim përdorimin e tij për pornografi;
  • Grooming shkakton lëndim psikologjik të fëmijës për shkak të psikomanipulimit dhe joshjes që groomeri përdor.

Pedofilia
Pedofilia i referohet njerëzve që kanë interes seksual ndaj fëmijëve, për t’i abuzuar ata seksualisht në Internet apo në jetën reale.  Fatkeqësisht, njerëz të tillë tentojnë të kontaktojnë fëmijët me anë të Internetit siç janë rrjetet sociale, dhomat e bisedës – chatrooms, apo lojërat e ndryshme.  Ata pretendojnë se janë dikush tjetër dhe shfaqin interes ndaj fëmijëve. Pedofilia është proces manipulues për të vënë nën kontroll fëmijët. Fëmijët duhet të ndihen të afërt me prindërit dhe të dinë se mund të bisedojnë me juve nëse janë kanë rënë në kontakt me një pedofil.

Hakimi
Është një term i përdorur për të përshkruar një përpjekje të dikujt për të thyer online kompjuterin me qëllim aksesin dhe vjedhjen e të dhënave personale, kontrollin e materialeve personale në kompjuter apo manipulimin e sistemit operativ të kompjuterit.

  • Kjo është mjaft shqetësuese sepse dikush nëpërmjet hakimit mund të disponojë dhe përdore për qëllime të caktuara informacion, llogari dhe materiale personale (foto, video);
  • Hakeri mund të fshijë informacione dhe dosje të rëndësishme, mund të dëmtojë kompjuterin veprime të cilat mund të krijojnë shumë shqetësime dhe pasoja;

Varësia nga interneti
Është përdorimi i tepruar i internetit dëri në masën sa ndërhyn në aktivitetet e jetës së përditshme. Edhe pse shpesh herë varësia nga interneti mund të duket i paqartë ka raste kur fëmijët dhe adoleshenëtët kalojnë orë të tëra në internet duke luajtuar lojëra elektronike, biseduar dhe naviguar duke harruar përgjegjësitë e tyre madje dhe ushqimin. Nga pikpamja e sjelljes mund të konsiderohet si një sjellje kompulsive dhe përkufizohet klinikisht si një sjellje e cila bëhet jo sepse është e kendshme dhe e dobishme por për shkak se individi mendon se duhet ta bëje.

Përmbajtja e papërshtatshme

Është një përkufizim i cili i referohet cdo lloj përmbajtje në internet, verbale, vizuale, audio dhe video i cila është e rrezikshme dhe e papërshtatshme për moshën e fëmijëve por është në dispozicion të publikut. Për shkak të hapësirës së madhe të shtrirjes së internetit kemi të bëjmë me një larmi të madhe të interesave të subjekteve të ndryshme.

  • Pa udhëzimet e duhura dhe pa filtra fëmijët mund të ndeshen edhe aksidenatlisht online me përmbajtje e cila për ata mund të shkaktojë stres dhe ankth;
  • Një përmbajtje e tillë mund të jetë e dhunshme, pornografike, raciste apo fyese;
  • Shikimi apo kontakti me përmbajtje të tilla mund të trazojë botën e brendshme të fëmijëve. Në rastin e kontaktit të fëmijëve me materiale pornografike mund të shtrembërojë zhvillimin psiko-seksual;

Sexting
Është një term i përdorur për të përshkruar dërgimin e mesazheve, fotove me përmbajtje seksuale kryesisht nëpërmjet celularëve.  Ndonëse dërgimi i këtyre përmbatjeve mund të jetë e dakordësuar ndërmjet njëri-tjetrit mund të ndodhë që këto përmbatje të përfundojnë duke qarkulluar në internet kryesisht kur marrëdheniet marrin fund. Edhe pse në shumicën e rasteve nis si një loj mes adoleshentëve, shpërndarësi i materialeve e humbet kontrollin kryesisht mbi imazhet dhe shkakton pasoja turpi dhe potencialisht shkatërruese.

Si mund ta bëjnë prindërit internetin një vend të sigurt për fëmijët e tyre?

Lundroni në internet bashkë më fëmijën tuaj:  

Ju si prind duhet të jeni personi kryesor që të udhëzoni fëmijën tuaj për mënyrën se si duhet ta përdorin internetin duke e eksploruar atë bashkë. Kjo do të ndikojë në ndarjen me ju të eksperiencave pozitive dhe negative të fëmijës tuaj online. Ju duhet të inkurajoni fëmijën tuaj që të jenë të kujdesshëm në dhënien e informacionit personal.

Kushtojini vëmëndje:

Nuk është i mjaftueshëm fakti që ju keni vendosur kompjuterin në një vend qëndror dhe të dukshëm në shtëpinë tuaj nëse ju nuk i kushtoni vëmëndje asaj se çfarë fëmijëa juaj po bën me kompjuterin. Uluni dhe ju afër kompjuterit me fëmijën tuaj dhe bisedoni rreth asaj se çfarë po bën online.

Lexoni më shumë në lidhje me atë çfarë shikoni ne ekranin që po përdor fëmija juaj:

Nëse ju pyesni fëmijën tuaj se çfarë ata po bëjnë dhe ju nuk e kuptoni pergjigjen atëherë është koha për të lexuar rreth asaj. Vizitoje më vonë atë faqe interneti dhe kërko për lajme ose artikuj në lidhje me fjalët kyçe që do gjesh tek ajo adresë.

Përdor mekanizmat teknologjisë për internet të sigurtë

Ka një sërë mekanizmash të cilat instalohen në kompjuter të cilat të krijojnë mundësi që të mbroni fëmijën tuaj online. Filtrat e internetit, softëare dhe udhëzuesit të cilët mund ti kërkoni dhe pranë subjekteve në të cilat ju bleni kompjuterat mund të ua lehtësojnë monitorimin e aktivitetit të fëmijës tuaj online.

Tregohuni të vëmëndshmë ndaj sinjaleve paralajmëruese:

Një fëmijë që heziton të flasë më familjarët në lidhje me aktivitetin e tij online ose që duket i tërhequr nga familja dhe miqtë mund të ketë një problem. Ndryshimi i personalitetit të fëmijës tuaj mund të jetë një shënje se dicka po ndodh me fëmijën tuaj dhe ekspozimi ndaj pornografisë dhe cyberbullying mund të jetë një shkak i këtyrë ndryshimeve.

Mësoni t’u thoni fëmijëve dhe jo:

Nësë fëmija juaj vazhdimisht kalon shumë kohë në internet ose shpërfill rregullat në lidhje me përdorimin e kompjuterit është koha që të merrni masa deri në shkëputjen e lidhjes së internetit. Kjo mund të jetë një masë paraprake me të cilët fëmijët tuaj mund të mos pajtohen por ata mund të mbijetojnë pa të. Sigurohuni që të jeni të qartë që të argumentoni këtë vendim si dhe për kohëzgjatjen e vendimit.

Prindër ju  mund të mos jeni specialist të teknologjisë apo të përdorimit të internetit por duhet të bëhen ekspert për të kuptuar sfidat e prindërimit!