#Jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi. #Jemi të gjithë heronj.
Eriona Hoxha
MSc. Psikologe Klinike
Jemi përballë përgjegjësisë që duhet ta manifestojmë në këto ditë e ndaj edhe këtë shkrim po e bëj nga shtëpia. Si lind ankthi nga koronavirusi ?… pyetja që na është bërë më së shumti në këto ditë. Me siguri jemi në kohë të vështira të virusit dhe jemi përballë dy motiveve në një anë jemi të bombarduar nga lajme të rrjeteve sociale nga faqe të ndryshme, lajmërime dhe informacione që sjellin ankth kjo pse ,sepse nuk kemi asnjë informacion se çfarë virusi është nga ana mjekësore, nuk kemi një protokoll e nuk kemi vaksina që mund të na kurojnë. Njohja e pakët dhe në të njëjtën kohë informacioni i bollshëm ndikojnë mbi sjelljet e njerzve, mbi sjelljet tona dhe kjo na kushtëzon shumë dhe mund të transformohet në një ankth të gjeneralizuar, hipokondri deri në psikoza të masës.
Më vjen si reflektim: Sa filma kemi parë që fillojnë me një infektim dhe më pas është ndërhyrja e Heroit që zgjidh gjithçka. Pikërisht ky është apeli për gjithësecilin se jemi të gjithë heronj pasi ky nuk është një virus që prek individin ky është një virus që prek komunitetin. Ndaj duhet të jemi të gjithë heronj dhe të përgjegjshëm, të kemi kujdes me lëvizjet tona, të dalim me rradhë dhe jo të gjithë bashkë, të dalim për të plotësuar një nevojë, të mbrojmë fëmijët dhe të moshuarit. E rëndësishme është të kontrollojmë veprimet tona dhe mbi të gjitha duke u nisur nga një supozim duhet të luftojmë dhe ta ndërpresim përçimin e tij siç ndodhi në fazat fillestare në vendet e tjera.
Virusi na vë përballë marrëdhënieve tona . Tani që jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi ne po e vëmë re se sa kontakte kemi dhe këtu nuk kam parasysh vetëm miqtë e kolegët që komunikojmë në ditë , javë apo një muaj , ky virus po na vë në kontaktet në nivel shteti, në nivel komuniteti, në nivel kontinentesh sepse ky virus i padukshëm siç na thuhet por që transmetohet lehtësisht na vë përballë dobësisë tonë përballë njerëzimit tonë por mbi të gjitha përballë një vdekje të mundshme.
Si menaxhohet ky virus … Sidomos me fëmijët, se janë mësuar në përditshmërinë e tyre që dalin e luajnë. Është e rëndë do mendonim?! Varet . Nuk mund të jepen receta pasi receta vlen për një person por nuk mund të jetë i vlefshëm për një tjetër.
Ndjej detyrimin profesional që të nisem nga 1 rregull kryesor; Si e menaxhojmë ankthin ? – duke mbledhur informacione që janë shkencore dhe të sigurta. Krijohet një rreth vicioz ku ndjekim dhe shpërndajmë informacione në mënyrë të pakontrolluar. Mund të bëjmë që 2 herë në ditë ne të dëgjojmë informacione që na ofrohen psh. nga Ministria e Shëndetësisë, pra fonde burimesh zyrtare dhe të mos shpërndajmë në mënyrë mekanike lajme apo lajme të rreme dhe mund të zgjedhim e ti bllokojmë këto lloj faqesh. Ne mund të bëjmë që të ndjekim rregullat e higjenës që na është kërkuar në këtë rast, duke ndihmuar anëtarët e familjes që të kujdesen edhe ata e mos humbim kohën që të rrisim nivelin e ankthit brenda nesh. Përsa i përket ndryshimit në jetën e fëmijëve ka disa mënyra menaxhimi të këtij ndryshimi psh një pjesë e zë orari i detyrave qofshin të kopshtit qofshin ato të shkollës, pra, pjesa edukative, dhe nuk ka sepse të lihen fëmijët një pjesë të madhe të kohës para televizorit me ju ku edhe aty mund të shohin pafund lajme kur ne jemi duke i ndjekur ato, por dëmton edhe të parit vetëm filma vizatimorë e programe të ndryshme. Mund të ulemi edhe ne pranë fëmijëve tanë për t’i ndjekur në pjesën edukative dhe kështu kultivojmë edhe vetë prind fëmijë një marrëdhënie pasi pjesa më e madhe e prindërve punojnë dhe koha që kalojnë me fëmijët është më e pakët se në këto ditë. Flisni me sinqeritet me fëmijët e pa patur edhe ju frikë në atë që ju trasmetoni se ky është një moment i vështirë por që do të kalojë pa u ndjerë edhe ata konfuz për këtë ndryshim. Duhet t’ju përmbahemi aktiviteteve që ata bëjnë edhe në normalitet pra koha e shkollës, bërja e detyrave, dhe duke krijuar aktivitete që kanë një kuptim (që kanë një fabul, që përcjellin një mesazh, që mund t’i bëhet një analizë dhe fëmijët zhvillojnë të menduarit dhe shprehitë etj, për këtë ka pafundësi teknikash në internet pasi ky është edhe një moment ku internetin mund ta përdorim për gjëra që kanë kuptim dhe për gjëra të shëndetshme ).