Një shkrim nga Manolita Hida
Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh
Përrallat me princin e kaltër dhe princeshat në rrezik të cilat shpëtohen nga ky i fundit kanë qenë pjesë e historisë së rritjes së shumë prej nesh.
Ndërsa thuajse në këto dy dekada të fundit jemi hasur dhe me filma vizatimor në të cilat princeshat luftojnë të shpëtojnë veten, e që kanë edhe dashuri të tjera në jetën e tyre, përpos asaj së dashurisë në çift. Pra, shkojnë drejt një ndjenje më universale të dashurisë.
Por thelbësorja në gjithë procesin qëndron, në zbulimin e vetes, e ky është një rrugëtim që personazhet e ndërmarrin kryesisht vetëm.
E njëjta situatë përsëritet edhe nëpër filma.
Po në jetën reale çfarë ndodh?
Teksa ne përpiqemi të njohim dikë i/e cila pretendohet të zërë një vend të rëndësishëm në jetën tonë, e ktë gjë përpiqemi që këtë gjë ta kuptojmë së pari me veten. Nëse personin kalon nëpër të gjitha filtrat, mund të zërë një vend të rëndësishëm në të tashmen e në të ardhmen (mbase).
Ne dashurojmë në forma të ndryshme, por dashuria më sublime mbetet ajo në të cilën personi zgjedh të qëndrojë pranë nesh pavarësisht të gjitha të këqijave me të cilat mund të jetë përballur nga personi tjetër (këtu nuk flasim për marrëdhëniet sado-mazokiste në të cilët partnerët pëlqejnë të vuajnë dhe ti shkaktojnë dhimbje njëri-tjetrit).
Por kur dashurinë tonë e vendosim në sytë e një publiku të gjerë, çfarë ndodh?

Ndodh që ne nuk kontrollojmë më situatën, por situata na kontrollon ne, dhe ne nuk jemi më të fokusuar tek personi se sa tek ajo çka na rrethon (udhëtime, dreka, shtëpi luksi, spa, etj,.).
Në këtë mënyrë emocionet induktohen nga jashtë, nuk lindin si rezultat i takimit me personin tjetër, por si rezultat i asaj në të cilën takohet personi tjetër. Sa më e madhe pasiguria, aq më madhe frika, elementët ankthioz dhe, aq më lehtë menaxhohet individi.
Pra një emision televiz mbi dashurinë, nuk prodhon dashuri midis personazheve, por indukton ndjenja, e personazhet në këtë rast nuk mund veçse ti ngjajnë buratinove- atyre kukullave- fijet e të cilave luhen pas perdes së teatrit.
Që dashuria të ndodhë, ajo që ne vendosim vazhdimisht në provë është BESIMI tek personi përballë nesh, kjo sepse natyra, prej teorisë së evolucionit të Charls Darvin na ka pajisur me mekanizmat për të ruajtur qëndrueshmërinë e familjes e për të siguruar vazhdimësinë.
Sa paradoksale është situata teksa sheh se personi përballë teje, zgjedh të dalë edhe me disa persona të tjera. Ne mund ta pranojmë këtë, përsa kohë nuk dimë gjë, por jo teksa shohim dhe dëgjojmë bisedat, përqafimet apo puthjet e personit me të cilin pretendohet të krijojmë diçka ti bëjë dhe me dikë tjetër. Kjo situatë është sa absurde aq dhe e panatyrshme.
Situatat në dashurinë e stisur, krijojnë një individ-mbi të tjerët, në pozitë favorizuese, një njeri me të gjithë kompleksin e vet, duke forcuar gjithmonë e më shumë pozitat si narciz. Mjafton të dëgjojmë thjesht disa biseda: “për mua çfarë thonë vajzat e tjera?; çfarë do më thuash ndonjë gjë?”, e kështu me rradhë. Nuk ka biseda të cilat tentojnë të njohin personalitetin, veçoritë e përbashkëta, ndryshimet, hobit, por bisedat në të shumtën e rasteve mbeten në element sipërfaqësor.
Pikërisht, dashuria nuk mund të komandohet me skenar dhe të pritet të ndodhë në një fraksion të caktuar, ajo është një ndër ndjenjat më të fuqishme me të cilat natyra na ka pajisur, e si e tillë, mbetet e vështirë për tu kontrolluar, ca më keq me pult telekomande apo me një scroll telefoni.
Kemi luftuar që “Bardha e Temalit” ti përkasë historisë, sot i reklamojmë në ekrane televizionesh.
Pasojat e tyre janë të dëmshme për shoqërinë dhe për ndjekësit e këtyre programeve, sepse ne si qënie të gjalla kemi tendencën të imitojmë atë çka shohim.
Gjithashtu nëpërmjet tyre transmetohet një imazh jo realist i dashurisë, të mënyrës dhe formës se si dashuria mund të fitohet (luks, udhëtime, jaht, kohë me kronometër se kur duhet të biesh në dashuri, forma dhe trup i përkyer), të pranimit të marrëdhënieve abuzive (rri dhe duro, që personi tjetër të të zgjedhë ty… ose jo!), ndërkohë krijon dhe problem në marrëdhëniet në çift, pasi një pjesë e mirë kanë tendencën të besojnë se ajo që ndodh në televizion, është diçka reale e teksa personazhet e televizionit luajnë rolin, kjo krijon proleme tek çiftet jashtë të cilat ngrenë pritshmëri jo realiste ndaj partnerëve aktualë të tyre.
© Të gjitha të drejtat i përkasin autores