Çrregullimi i vëmendjes

Nga Dr. Manolita HIDA

Çrregullimi i vëmendjes është përcaktuar si një çrregullim gjenetik dhe biokimik i cili prek dy neuro-transmetues të cilët sigurojnë përqëndrim dhe vëmendje për trurin.

Tre drejtimet të cilat shihen si të papërshtatshme dhe të cilat ndërhyjnë në funksionimin e fëmijës janë:

  1. Impusliviteti- veprime të parakohshme dhe të pamenduara
  2. Hiperaktivitet- lëvizje të vazhdueshme, të ndryshueshme dhe të tepërta
  3. Pavëmendshmëri- stil i çorganizuar i bashkëshoqëruar nga një energji e pashtershme

Tre tipet e Çrregullimit të defiçitit të vëmendjes:

  1. Tipi i ÇDV me hiperaktivitet
  2. Tipi i ÇDV pa hiperaktivitet
  3. Tipi i ÇDV residual

Zakonisht ADHD fillon midis moshës 3-4 vjeç, edhe pse ka raste në të cilat vihet re edhe në fëmijërinë e hershme apo të tjerë në moshën 5-6 vjeç.

Fëmijët me ADHD paraqesin vështirësitë e mëposhtme në sjellje dhe vëmendje në mjedisin e klasës:

  • Sjellje të cilat tërheqin vëmendjen e tyre dhe të tjerëve rreth tyre
  • Vështirësi për të mbajtur vëmendjen në detyra dhe aktivitete
  • Vështirësi për të filluar dhe përfunduar detyra dhe aktivitete
  • Duket sikur nuk i kushton vëmendje instruksione verbale
  • Duket i çorganizuar dhe harraq
  • Duket se ka një qasje të pamaturuar ndaj aktiviteteve

Fëmijët me ADHD përballen me vështirësi në fushën:

  1. Sociale – izolim social
  2. Emocionale – shqetësime psikologjike
  3. Sjellore –  aksidente me pasojë lëndime

Kriteret e diagnostikimit të fëmijës me çrregullime të vëmendjes përfshijnë:
A. Prani e përhershme e pavëmendjes, e hiperaktivitetit, impulsivitetit të cilat pengojnë funksionimin dhe zhvillimin. Fëmija manifeston:
1. Mungesë të vëmendjes (6 nga shenjat e mëposhtme duhet të jenë të pranishme për, të paktën, 6 muaj):
i. Nuk arrin të përqendrohet (bën gabime nga pavëmendja në detyra)
ii. Nuk e ruan vëmendjen në detyrë ose lojë
iii. Nuk dëgjon kur i drejtohen atij/asaj drejtpërdrejt
iv. Nuk ndjek dot udhëzimet
v. Nuk i mbaron dot detyrat, (shpesh fokusohet në gjëra anësore)
vi. Ka vështirësi në organizmin e vogël për të kryer detyrat/veprimtaritë
vii. Shmanget nga detyra e veprimtari që kërkojnë përpjekje mendore
viii. Humbet sendet e veta
ix. Tërhiqet lehtësisht nga stimujt e jashtëm.
2. Prani e hiperaktivitetit dhe impulsivitetit (6 nga shenjat e mëposhtme duhet të kenë qenë të pranishme, të paktën, për 6 muaj):
i. Lëviz gjymtyrët pa qëllim
ii. Lëviz në vend pa pushim
iii. Ngrihet nga vendi i punës pa ndonjë qëllim
iv. Vrapon, në vend që të ecë
v. Nuk është i aftë të luajë në qetësi një lojë deri në fund
vi. Është gjithmonë në lëvizje
vii. Flet shumë
viii. E jep përgjigjen pa dëgjuar pyetjen
ix. Ka vështirësi të presë radhën
x. Ndërpret të tjerët.
B. Shenjat e hiperaktivitetit dhe impulsivitetit janë shfaqur para moshës 12 vjeçare.
C. Simptomat ndikojnë me cilësinë e punës në shkollë, me përfshirjen në detyra e veprimtari dhe
performancën në tërësi.
D. Simptomat nuk shpjegohen me prapambetjen mendore.

Evoluimi i ADHD në edukim

Impusiviteti zë pjesën qëndrore në kërkimet për ADHD në fushën e edukimit, për shkak se aftësia për të përllogaritur dhe bërë parashikime mbi sjellje të caktuara mungon. Kjo gjë nga ana tjetër përfaqëson dështim të proçese konjitive të njohura si “funksionet konjitive” (Barkley, 1997).

Proçeset konjtive

Tre janë fushat mbi eksplorimin teorik të ADHD:

  1. kërkimet konjitive
  2. kërkimet neurobiologjike
  3. kërkimet gjenetike

Të dhënat nga studimet tregojnë se ADHD është një gjëndje bio-psikosociale, dhe kërkon një ndërhyrje të kombinuar në të cilën të përfshihet edhe ekipi multidisiplinar.

Kërkimet konjitive janë të fokusuara ndaj impulsivitetit si një pikë qëndrore në ADHD si dhe në mundësinë se ndodh një disfunksion në në përgjigjet inhibuese të mekanizmave neuropsikologjike, të cilat janë të lidhura me fiziologjinë e lobeve frontale të trurit. Ky shpjegim neurobiologjik bazohet në studime me neuro-imazheri (Tannock, 1998), por edhe në studime mbi neuro kiminë të cilët kanë arritur të zbulojnë disfunksione në sisteme të caktuara të neurotransmetuesve të cilat janë të implikuara në rregullimin e vëmendjes dhe sjelljes (McMullen et al., 1994).

Një lidhje shihet edhe në gjenetikë. Incidenca për ADHD është më e lartë ndër binjakët monozigotikë krahasuar me ata bizigotë. Kërkimet në gjenetikë gjithashtu se ADHD mund të jetë një rezultat i anormaliteteve në sistemin e dopaminës. Dopamina lidhet ndër të tjera me rregullimin e lëvizjeve. Tek fëmijët me ADHD vihet re se ka probleme në lidhje me rregullimin e lëvizjeve dhe kontrollin e sjelljeve.

Një pikëpamje tjetër mbi ADHD është ajo e propozuar nga Barkley (1997) e cila sugjeron se kemi të bëjmë me një dështim të sistemit inhibues. Kjo gjë sjell probleme në katër fushat madhore të “funksionimit ekzekutiv” të trurit të cilat janë të domosdoshme për të kontrolluar vetë-rregullimin:

Përveç të dhënave neuroshkencore-konjitive, ka studime të cilat sugjerojnë se faktorë në mjedisin familjar mund  të përfshihen në zhvillimin e ADHD. Faktorët familjarë përfshijnë:

  • Aftësitë prindëruese
  • Një mjedis familjar i çrregullt
  • Probleme në çift tek prindërit e fëmijës
  • Shëndeti mendor i nënës dhe faktorët e personalitetit tek babai

 

Këto të dhëna të kombinuara edhe me të dhënat nga kërkimet neuro-fiziologjike forcojnë debatin se ADHD është një gjëndje bio-fiziologjike, që do të thotë një kusht sjellor i predispozuar biologjikisht. Predispozita biologjike dhe të dhënat sjellore mediohen edhe nga faktorët mjedis dhe eksperiencë (Frith, 1992; Rutter, 2001).