Një përrallë nga Dr. Manolita Hida
Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh
“Në këtë përrallë, një familje elefantësh, do të enden për të gjetur rrugën e dashurisë familjare. Udhëtoni me ta, dhe ndiqni ndodhitë e tyre.”
Në një luginë, jetonin tri elefantë: nëna elefante, djali elefant dhe vajza elefante.
Ata jetonin sëbashku dhe ndiheshin të lumtur me njëri-tjetrin. Nëna elefante, i donte shumë djalin elefant dhe vajzën elefant. Të tre ata ishin shumë të lidhur sëbashku.
Një ditë, në luginën e tyre, ata dëgjuan se ekzistonte një pemë e cila me magjinë e saj, mund të dhuronte shumë dashuri. Tri elefantët u bënë kuriozë. Po sikur ata të kishin mundësi të shtonin më shumë dashurinë ndërmjet tyre?! Po sikur ata ta gjenin pemën?
Ata nuk dinin asgjë për këtë pemë, por i duhej të kërkonin shumë, dhe mbase të largoheshin nga lugina e tyre, të cilën se kishin braktisur asnjëherë.
Familja elefante u nis për të gjetur pemën e dashurisë.
Kishin bërë shumë rrugë në këmbë. Elefantët ndiheshin të lodhur, të uritur dhe të etur. Duhej të gjenin me patjetër një vend ku të kishin mundësi të shlodheshin dhe të vinin diçka në gojë. Asgjë nuk dukej në horizont. Vazhduan të ecnin, dhe dielli po perëndonte. Ra nata. Elefantët arritën të struken buzë rrugës.
Në mëngjes, fëmijët elefantë, u zgjuan dhe u shqetësuan teksa nuk e gjetën nënën elefante pranë. Pak më vonë, nëna u duk në horizont. Ajo kishte gjetur një oaz të vogël me ujë dhe plot me gjethe të shijshme. Fëmijët elefantë e ndoqën. Ata ishin shumë të lumtur. Sa mirë që nëna e tyre kujdesej për ta! Më në fund ata hëngrën plot gjethe dhe pinë ujë. Ata u kënaqën duke hedhur shatërvane uji, mbi njëri-tjetrin. Pasi u kënaqën me ushqim dhe me lojra, i duhej të vijonin me udhëtimin e tyre.
Ecën shumë gjatë, pyetën shumë kafshë. Askush nuk dinte nga ti drejtonte, ose drejtimet e tyre, i ngatërronin edhe më shumë.
Më në fund, elefantët vendosën që ti besojnë njëri-tjetrit dhe të përpiqen ta gjejnë vetë rrugën drejt pemës së dashurisë.
Gjatë rrugës, djali elefant kërkoi që nëna e tij ta mbante në kurriz. Nëna elefante, filloi të mbajë djalin elefant, por rrugës u lodh. Motra elefante, tallej me vëllain e saj më të madh dhe habitej se si ai lodhej kaq shpejt. “Dembel”-i thoshte ajo vëllait të saj. Vëllai elefant, nevrikosej dhe donte që nëna elefante ta ndalonte motrën e tij. Shpesh gjatë rrugës, nënës elefante i duhej ti ndante vazhdimisht nga njëri tjetri në mënyrë që të mos ziheshin. Djali elefant shpesh i drejtohej motrës së tij me emrin qumështore, për shkak se ishte ende e vogël. Vajza elefante, e ndjente veten të madhe dhe i vinte inat me vëllain e saj.
Nëna elefante, kuptoi se ky do të ishte një udhëtim i gjatë drejt pemës së dashurisë.
Shpesh, ajo përpiqej që fëmijët e saj elefantë, të kuptonin se ata që duan njëri-tjetrin nuk lëndohen. Por fëmijët elefantë e kishin të vështirë këtë. E kështu, udhëtimi i tyre ishte një rrugëtim i gjatë drejt të kuptuarit të njëri-tjetrit, edhe pse e donin shumë njëri-tjetrin.
Kur fëmijët nevrikoseshin me njëri-tjetrin, ata rendin dhe prishnin çdo gjë rreth tyre. Bari prishej, lulet këputeshin, pemët thyheshin, dhe ata ndiheshin kaq bosh e të trishtuar, brenda barkut dhe zemrës së tyre.
Nënës i duhej shumë durim!
Më në fund nëna, arriti që ti vendosë fëmijët elefantë përballë njëri-tjetrit. Ata duhej ti premtonin se pavarësisht asaj që do ti thonin njëri-tjetrit, ata do përpiqeshin të ruanin qetësinë dhe do mendonin se pse nuk ndiheshin mirë kur i thonin njëri-tjetrit: “dembel-qumështore”.
Fëmijët pranuan. Ata arritën të dëgjojnë njeri-tjetrin deri në fund. Ata kuptuan, se ndonjëherë, kur ne nuk marrim përgjigjen që duam, atëherë lëndojmë njëri-tjetrin me fjalë jo të bukura. Kjo për ta nuk do të thoshte që ishin vërtet si emrat që ata i vinin njëri-tjetrit. Ata kuptuan se në fund, largoheshin nga njëri-tjetri në vend që të afroheshin. Fëmijët morën një mësim të mirë.
Nëna elefante ishte më e qetë, por kishte ende rrugë për të bërë me fëmijët e saj.
Gjatë rrugës i zuri një stuhi. Familjes elefante i duhej me patjetër të gjente një strehëz të sigurtë për të qëndruar deri sa të kalonte stuhia. Djali elefant, pa një pemë të madhe, dhe e drejtoi familjen e tij, drejt saj. Më në fund ata gjendeshin në një vend të thatë dhe larg stuhisë. Pas pemës, gjendej një ari i madh, i cili nuk donte vizitorë aty. Ai doli i egërsuar dhe i vendosur për të larguar elefantët nga aty. Vajza elefante u frikësua shumë. Megjithatë nëna dhe djali elefant, i kërkuan me shumë mirë sjellje ariut që ti lejonte të qëndronin aty derisa të kalonte stuhia. Ariu nuk lëshoi pe.
Kështu familja elefante u gjend sërisht në mes të stuhisë. Ata u përqafuan të tri sëbashku, dhe kërkuan për një strehë tjetër. Më në fund, një ketrush, i bëri me shënjë, për nga pema ku kishte shtëpinë e tij. Fëmijët elefantë u kënaqën duke luajtur me ketrushin. Ata ndiheshin shumë mirë me njëri-tjetrin. Elefantët qëndruan aty derisa stuhia kaloi.
Elefantët u nisën për rrugë dhe ketri i përshëndeste me dorë.
Gjatë rrugës ata ndeshën në një gëmushë përplot me rrush. Për të arritur deri aty, duhej të kalonin përmes një rruge shumë të ngushtë. As nëna dhe as djali elefantë nuk mundeshin të hynin aty. Vajza elefante, kërkoi të shkojë dhe të merrte rrush për familjen e saj. Ajo shkoi, dhe ndihej shumë e lumtur që edhe ajo po ndihmonte familjen e saj.
Elefantët hëngrën rrush të kuq. Ata i bënë turinjtë flakë të kuq. Teksa shihnin njëri-tjetrin, elefantët ja plasën të qeshurit. Në fund, u drejtuan drejt një burimi ku u lanë dhe pinë ujë.
Më pas elefantët vazhduan rrugën.
Po binte nata. Rreth e qark nuk dallohej më gjë. Ata duhej të pushonin. Ndaluan pranë një peme. I zuri menjëherë gjumi. Ai ishte një udhëtim që i kishte mësuar shumë gjëra.
Në mëngjes kur u zgjuan, ata panë se kishin fjetur poshtë një peme shumë ngjyrëshe me gjethe në formë zemre. O sa u lumturuan elefantët. Ata tashmë po prisnin që dashuria e tyre të shtohej, por asgjë nuk ndodhi.
Elefantët u menduan gjatë, dhe kuptuan se i gjithë ushëtimi i tyre kishte qenë një rrugë drejt rizbulimit të dashurisë ndaj njëri-tjetrit.
Ata kishin mësuar kaq shumë, dhe kishin kuptuar, se ata vazhdonin ta donin njëri-tjetrin edhe kur zemëroheshin. Ata mësuan që të dëgjojnë deri në fund, pa u ofenduar. Ata mësuan që të kuptojnë se si ndjehen kundrejt njëri-tjetrit në situata të ndryshme.
Rruga për në pemën e dashurisë nuk i dhuroi dashuri me magji, por dashuri me përkushtim dhe durim.