Një përrallë nga: Dr. Manolita Hida – Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh
“Toka e Diellit” është një përrallë për fëmijë të vegjël e të mëdhenj, drejt rizbulimit të vetes dhe asaj që mund të mësojmë. Drejt të mësuarit të dashurisë pa kushte, empatisë, dhembshurisë, përgjegjësisë, përgjegjshmërisë, guximit për të vepruar, respektimit të kufijve personalë dhe atyre të të tjerëve, mirënjohjes e altruizmit, forcës për t’ia dalë mbanë edhe kur rrëzohesh, edhe kur të tjerët rreth nesh humbasin e nuk ja dalin në luftën me vdekjen .
Ndaj nëse je duke luftuar me veten, për veten, dhe për të tjerët, mund të vazhdosh leximin, nuk do mërzitesh”. – M.Hida
Toka e Diellit
Shumë kohë më parë, ishte një vend i bukur, i puthur nga të gjitha anët nga Dielli.
Banorët e asaj toke ishin të bekuar nga gjithë të mirat që Dielli i ofronte.
Ata punonin shumë në tokën e Diellit dhe kujdeseshin për njeri-tjetrin.
Mirëpo banorët filluan të bëhen xhelozë për fqinjët e tyre, dhe të gjithë donin të arrinin Diellin.
Ata menduan se po të ndërtonin shtëpi të larta do të ishin më afër Diellit.
Kështu të gjithë vrapuan dhe filluan të presin pemët. Me to do të ndërtonin shtëpi të larta. Banorët e tokës së Diellit nuk po merreshin më me punët e tyre. Ata nuk po punonin tokën, nuk po mbillnin më. E vetmja gjë që i interesonte ishte të arrinin Diellin.
Dielli i shihte se si vepronin por nuk mund ti ndalte. Si nuk e kuptonin se kështu do shkatërronin gjithçka, edhe veten!
Dielli kishte një armik, i cili i ngjante në formë, por ai mbillte vetëm sëmundje. Armiku kishte një emër: Korona! Ai kishte shumë kurora në kokë, për inat se nuk mund të ishte si Dielli që e donin të gjithë.
Korona gëzohej kur shikonte banorët e Tokës së Diellit të luftonin njëri-tjetrin! Sa më të larta bëheshin shtëpitë e tyre, aq më i fortë bëhej Korona.
Njerëzit e Tokës së Diellit po shkatërronin gjithçka, dhe Dielli brengosej e dobësohej çdo ditë që nuk mund ti ndihmonte. Dielli shkëlqente e ngrohte më pak tani. Mirëpo banorët që ishin shumë të zënë duke u marrë me njëri-tjetrin nuk mund ta kuptonin këtë.
Në Tokën e Diellit nuk kishte bërë asnjëherë dimër.
Korona, rrinte dhe priste momentin e tij, i fshehur në një shpellë të ftohtë.
Një ditë Dielli u sëmur. Qielli u nxi dhe moti u ftoh shumë.
Banorët e Tokës së Diellit u shqetësuan: Ku kishte ikur vallë Dielli? Si mund të ikte ashtu? Ai duhej të qëndronte aty për ta!
Koronës më në fund i erdhi momenti i shumëpritur! Me Diellin e sëmurë, ai tani do shkonte tek banorët e Tokës së Diellit dhe do bëhej mbret! Të gjithë do ta kishin frikë dhe do ti ruheshin. Emri i tij do të gjendej kudo në Tokën e Diellit! Banorët e Tokës së Diellit nuk e dinin ende se çfarë i priste!
Korona shkoi në Tokën e Diellit! Njerëzit u habitën prej tij. Nuk e kishin parë kurrë më parë. Për shkak se Korona ngjante në formë me Diellin, njerëzit menduan se ai do të ishte mik i tyre, dhe e mikpritën. Ata vijuan veprimtarinë e tyre të përditshme si zakonisht, duke ndërtuar shtëpi të larta!
Korona gëzohej, sepse kështu ai do mund të realizonte ëndrrën e tij pa u lodhur fare. Banorët e Tokës së Diellit nuk e dinin se me kë kishin të bënin!
Pak nga pak, banorët filluan të sëmuren. Askush nuk e dinte pse. Ndërkohë Dielli kishte kohë që nuk dilte. Korona vazhdonte të sëmurte banorët dhe ata nuk e kuptonin pse.
Dielli ndihej kaq keq që nuk mund ti ndihmonte banorët e Tokes së Diellit, edhe pse ata nuk ishin sjellë mirë dhe i kishin dobësuar fuqitë Diellit ai sërisht i donte.
Dielli uronte shumë që dikush prej tyre ta kuptonte mesazhin që ai dërgonte me lajmëtare rreze diellin që arrinte të çante errësirën.
Banorët ishin në rrëmujë të madhe. Ata nuk dinin si të silleshin.
Diellza, një vajzë e vogël, e donte fort Diellin dhe që kur ai nuk dukej më në Tokën e Diellit, ajo ishte merakosur shumë. Ajo shihte vazhdimisht drejt qiellit për të marrë ndonjë shenjë prej tij. Deri tani asgjë skishte ndodhur.

Diellza ishte e shqetësuar për banorët që po sëmureshin dhe nuk e kuptonte se si ata mund ta donin Koronën. Të gjitha sëmundjet kishin filluar me ardhjen e tij.
Një ditë, Diellza i kërkoi mamit të saj të shkonin në majën më të lartë të malit, për të takuar Diellin. Babai qëndroi në shtëpi për tu kujdesur për gjyshërit.
Mes frikës se mos sëmureshin, ato u nisën. Moti ishte i ftohtë dhe era frynte shumë. Por kjo nuk do ta ndalonte Diellzën për të mos takuar Diellin.
Diellza dhe mamaja e saj u lodhën shumë, kaluan shumë ditë e shumë net, duke ecur, kaluan shumë vështirësi dhe rrugës u përballën me kafshë të egra që si kishin parë kurrë. Korona ja kishte nisur të gjitha kafshët e egra për ti ndaluar rrugëtimin e tyre. Ai u përpoq shumë por nuk mundi ti sëmurte Diellzën dhe mamanë e saj.
Mes shumë vështirësive ato arritën më në fund, në majën më të lartë.
Mezor arritën ta shikojnë Diellin. Ai ishte zvogëluar dhe dobsuar kaq shumë! Rrezet e tij ishin shumë të zbehta, ndaj nuk arrinin deri në tokë.
Diellza rendi drejt Diellit, dhe e shqetësuar e pyeti se çfarë kishte ndodhur.
Dielli buzëqeshi lehte dhe i spjegoi Diellzës se tashmë Toka e Diellit dhe banorët e saj ishin në një rrezik të madh nga Korona.
Diellza e pyeti Diellin pse kishte ikur prej tyre.
Dielli i thotë se: “Unë nuk kam ikur kurrë prej jush, por banorët e Tokës së Diellit janë larguar gjithmonë e më shumë prej meje me shtëpitë e larta, me prerjen e pemëve dhe braktisjen e kujdesit për tokën”.
Ata nuk mund ta shihnin më Diellin sepse kishin ngritur re shumë të mëdha tymi mbi Tokën e Diellit. Pemët që pastronin ajrin i kishin prerë. Toka nuk prodhonte më asgjë pasi ishte mbushur me shtëpi të larta. Ndaj dhe moti ndryshoi. Kjo gjë, kishte ndihmuar dhe armikun e Diellit, Koronën, që të dilte nga shpella ku ishte fshehur dhe të sëmurte banoret e Tokës së Diellit. Korona ishte ziliqar dhe e kishte inat Diellin sepse ai i përqafonte të gjithë me rrezet e tij, i ngohte dhe i jepte jetë Tokës së Banorëve të Diellit!
Diellza e kupton që banorët ishin sjellur shumë keq me tokën e tyre. Ajo i kërkon Diellit që ti ndihmojë banorët e Tokës së Diellit. Por Dielli nuk mundej ti ndihmonte. Ajo mendon se Dielli nuk i do më. Por Dielli i donte jashtëzakonisht shumë banorët e tij! Ai nuk mund ti ndihmonte, pasi këtë herë banorët, duhej të ndihmonin veten që tja dilnin ndaj Koronës dhe ndaj zilisë që kishte pushtuar të gjithë ata si banorë të Tokës së Diellit.
Dielli i dha Diellzës së vogël një rreze dielli për ta ndriçuar gjatë rrugës së saj.
Sërisht Korona bëri të pamundurën për ta ndalur Diellzën. Ai sëmuri babain dhe gjyshërit e saj, dhe të afërm të tjerë. Disa prej tyre vdiqën. Vdiq edhe gjyshja e Diellzës. Sa keq që ndihej, pikëllimi për të ishte shumë i madh, shumë gjëra ndryshuan por Diellza nuk ndaloi, ajo e dinte se të gjithë bashkë mund ta mundimin Koronën dhe të kujdeseshin për veten.
Rrezja e diellit e ndriçonte dhe ndihmonte kudo që ajo shkonte.
Të gjithë banorët e Tokës së Diellit kuptuan se kishin bërë disa gabime dhe prandaj gjendeshin në atë situatë.
Ata filluan të ndjekin shembullin e Diellzës dhe të dëgjojnë këshillat e saj. Banorët i ndaluan të gjitha punët. Ata që kishin vjelur më shumë të mira në ushqime i shpërndanë për banorët më të varfër. Banorët u mbyllën nëpër shtëpitë e tyre.
Korona filloi të inatosej dhe të hynte nëpër shtëpiat e tyre. Por banorët ishin të vendosur të ndryshonin. Ata filluan të kujdesen dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin. Mësuan të respektojnë largësinë që duhet të mbajnë nga njëri-tjetri në mënyrë që të mos sëmuren dhe të mos e mbushin zemrën e tyre me inat. Ata filluan të mbjellin lule në kërkim të dritës së Diellit që aq shumë i mungonte. Lulet ata i quajtën Lule Dielli. Banoret filluan të kujdesen për veten, të ruajnë higjenën, të lexojn, të kujdesen për ata që kishin nevojë për kujdes….

Korona po dobësohej. Retë e zeza ngadalë po veniteshin. Moti po ngrohej dhe rrezet e Diellit po forcoheshin.
Korona nuk dorëzohej, nuk donte të ikte nga aty.
Por banorët ishin të vetëdijshëm tashmë se si duhen të silleshin.
Ata e donin Diellin dhe ishin të vendosur për ta risjellë sërisht në jetët e tyre!
Qielli u pastrua dhe Dielli doli më i fortë se kurrë! Lule Diellit e pritën me buzëqeshje dhe e ndiqnin ngado që ai shkonte!
Korona, e dinte, se nëse Dielli e kapte atëherë ai merrte fund, ndaj ai u fut menjëherë në një pusetë që ju gjet pranë. Ai u fsheh sërisht në shpellën nga e cila kishte dalë. Priste, që banorët të bënin sërisht gabime.
Banorët e kishin mësuar se si duhej të silleshin. E që kjo të mos harrohej Diellza shkroi një tregim për historinë e banorëve të Tokës së Diellit!
Banorët filluan sërisht të kujdeseshin për tokën. Ata ishin të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit.
Diellza luante me fëmijët e tjerë, ndërsa Dielli u dhuronte ngrohtësi të gjithë banoreve dhe Tokës së Diellit.
Tani Dielli kishte dhe një mikeshë të re, Lulen e Diellit. Ata u bënë të pandarë.
Banorët e Tokës së Diellit i kishin bërë një dhuratë shumë të bukur Diellit me Lule Diellin, që kurrë të mos mbeteshin vetëm.
Jeta gëlonte nga lumturia e banorëve të Tokës së Diellit.