Përktheu dhe përshtati
Manolita Hida
Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh
“Sot mësova klasën e 5-të mbi imazhin e trupit dhe median. Unë u tregova atyre një foto natyrale nga unë, siç tregohet në këtë postim, ku nuk kam vendosur grim; pa filtra dhe pa asnjë rirregullim të çfarëdo forme. 18 muaj më parë, ndalova vendosjen e grimit të rëndë në sy çdo ditë. Pastaj u tregova nxënësve një foto të vetes që e rregullova qëllimisht për këtë mësim.
Unë kisha ndryshuar madhësinë dhe formën e fytyrës, zmadhova buzët, zbardha dhëmbët, ndriçova sytë, pastrova lëkurën, hoqa qeskat e syve etj.

Në fillim, ua dhashë këto foto veç e veç grupeve të fëmijëve në klasën time – disa kishin foton natyrale dhe të tjerët kishin “fotoshopin”.
I kërkova që të ishin të sinqertë për ato që mendonin mbi foton time. Pavarësisht nga fotografia, ata dolën me komente të ngjashme – unë dukesha “e lumtur, e shndritshme, e relaksuar, me buzëqeshje të lezetshme, miqësore, dhe e bukur”.
Disa fëmijë me foton natyrale gjithashtu shtuan se unë dukesha “ e qetë, e këndëshme dhe e re”.
Pastaj i vendosa të dyja fotografitë pranë njëra-tjetrës dhe fëmijët shtangën. Grupet me fotografinë e rregulluar me fotoshop nuk e kuptuan që ajo ishte përmirësuar në mënyrë dixhitale derisa të dy fotot u shfaqën së bashku. Unë shkrova mendimet e tyre për të dy fotot, siç tregohet në këtë postim. Ata më thanë që preferuan fotografinë natyrale në krahasim me atë ‘false ’.
U tregova gjithashtu fotografi të njerëzve të famshëm, meshkuj dhe femra para dhe pasi ato të ishin “fotografuar”.
Ata nuk e kuptonin pse media “gënjen” mbi atë se si duken njerëzit vetëm për të krijuar një kopertinë reviste, për të fituar popullaritet ose për të reklamuar një produkt.
Për një grup të moshave 9 dhe 10 vjeç, diskutimi ishte i thellë, lartësues por edhe i trishtë. E konsideroj të trishtë pasi kjo është diçka të cilën ne duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë për shkak të imazheve idealiste joreale, ndaj të cilave ata janë të ekspozuar çdo ditë, por lartësues sepse ata preferuan foton reale.
Unë jam krenare për klasën time që janë aq të pjekur dhe reflektues dhe mësojnë që vetëvlerësimi i tyre nuk përcaktohet nga paraqitja e tyre ose nga stereotipet gjinore në media.
Disa nga përgjigjet e tyre pas mësimit:
“Mendoja se ndoshta një ditë mund të dukem kështu … tani e di që është gënjeshtër dhe më pëlqen kush jam.”
“Pavarësisht se si dukeni ose nëse keni njolla, rrudha ose shenja lindjeje, ju jeni akoma të bukur brenda dhe kjo është e rëndësishme.”
“Kam mësuar që nuk kam nevojë ta ndryshoj pamjen time ose ta bëj atë fotoshop. Unë jam e bukur dhe është problemi i të tjerëve nëse ata nuk mund ta shohin bukurinë tek unë. ”
Si një edukatore dhe dikush që ka patur çrregullime të të ngrënit dhe ka vuajtur me imazhin e trupit tim me vetëvlerësim të ulët ndër vite, nuk mund të theksoj sa duhet rëndësinë e mësimit të fëmijëve për ta dashuruar veten, të jenë të sjellshëm me veten e tyre dhe të krenohen me atë që ata janë. Shpresoj vetëm që ata të vazhdojnë të besojnë se bukuria vjen nga brenda dhe se ato rriten për tu bërë njerëz të fortë, të pavarur dhe të vetëdijshëm.
Ju lutemi ndajeni këtë që të mund të vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor, besimin dhe mirëqenien e rinisë sonë të pafajshme.
Sammy Rosehill