Manolita Hida
Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh
“Kush hap dyert e një shkolle, mbyll dyert e një burgu”.- Victor Hugo –
Kjo shprehje e të madhit Viktor Hygo, na fton për të reflektuar më shumë mbi efektet që ka arsimimi i anëtarëve të shoqërisë në të cilën bëjmë pjesë.
Duke patur në konsideratë efektet e shkollimit në zhvillimin shoqëror, nuk mund ti shmangemi anëve negative që ka mungesa e arsimimit.
Në studime të ndryshme veçanërisht në ato mbi kriminologjinë ka pikëpamje të cilat theksojnë idenë se rritja e shkallës së arsimimit dhe e civilizimit të qytetërimit ndikon në zvogëlimin e kriminalitetit.
Në vitin 2012 qeveria Braziliane ndërmori një nismë në drejtim të tentativave për të ulur numrin e të dënuarve nëpër Burgjet e Brazilit.
Shlyerja përmes leximit është një iniciativë e Parlamentit Brazilian që ofron mundësinë për të zvogëluar një pjesë të dënimit me burg duke lexuar. Kjo masë, e përfshirë në Ligjin për arsimin në burg, u miratua në qershor të vitit 2011 dhe u aplikua përfundimisht 12 muaj më vonë nga Ministria e Drejtësisë.
Qeveria braziliane njoftoi një program të ri ku të burgosurit mund të zvogëlojnë dënimet e tyre deri në 48 ditë në vit përmes leximit të librave, por efekti që do të ketë kjo në rehabilitimin e të burgosurve dhe uljen e popullatës së burgjeve në Brazil mbetet për tu parë.
Më 22 qershor, filloi një iniciativë e re me titull “Shlyerja përmes leximit” që do t’u lejojë të burgosurve në katër nga burgjet federale të Brazilit të ulin dënimet e tyre me katër ditë për çdo libër të lexuar. Sipas programit, të burgosurit do të kenë 30 ditë për të lexuar një vepër letërare, shkencore, filozofike ose klasike dhe do të duhet të shkruajnë një përmbledhje që duhet të jetë gramatikisht e saktë. Pjesëmarrësit mund të lexojnë deri në 12 libra në vit, duke i lejuar ata të marrin 48 ditë ulje nga masa totale e burgimit për çdo vit, raportoi O Globo.
Një panel i posaçëm do të përcaktojë të burgosurit që do të kenë të drejtë të marrin pjesë në program, dhe çdo punim i zhvilluar nga të burgosurit do t’i nënshtrohet rishikimit. Nëse zbulohet se puna është plagjiaturë, i burgosuri do të humbasë automatikisht të drejtën e tij për të vazhduar në program.
Avokati i São Paulo Andre Kehdi i tha Reuters, “Një person mund të largohet nga burgu më i shkolluar dhe me një vizion më të gjerë mbi botën,” duke shtuar, “pa dyshim se ai do të jetë një person më të mirë.”
Sidoqoftë, siç thekson Christian Science Monitor, nuk është e qartë se sa i dobishëm do të jetë një program i tillë në rehabilitimin aktual të të burgosurve dhe se sa do të sigurojë që ata të mos kthehen më në jetën e krimit. Duke pasur parasysh mungesën e arsimit midis të burgosurve, standardet ka të ngjarë të jenë të ulëta për raportet e librit pavarësisht ekzistencës së një paneli shqyrtues, dhe për këtë arsye do të jetë e vështirë të përcaktohet nëse një i burgosur e ka lexuar si duhet librin dhe “zgjeroi vizionin e tij për botën” siç parashikon Kehdi.
Për më tepër, nxitja mund të krijojë një treg të zi për të burgosurit që shkruajnë raporte librash për të tjerët në mënyrë që të kalojnë panelin shqyrtues. Të burgosurit që nuk janë përzgjedhur për programin mund të detyrohen të bëjnë vlerësime për ata që janë pjesë e programit, domethënë një i burgosur mund të zvogëlojë ndjeshëm dënimin e tij pa marrë pjesë në të vërtetë. Policimi i rreptë i programit do të duhet të bëhet për të siguruar që të arrihen rezultatet e dëshiruara.
Sipas të dhënave të vitit 2005, rreth 70 përqind e popullsisë së burgjeve në Brazil nuk kishin përfunduar arsimin bazë.
Ndërkohë shtëpia botuese Editora Carambaia, një ndër më prestigjozet në vend, ka filluar të punësojë të dënuarit si kritikë letrarë.
“Ekziston një krizë shumë alarmante në sistemin penal,” tha Leonardo Schmitt de Bem, një profesor brazilian dhe ekspert i ligjit penal. “Propozimet si kjo, të cilat zvogëlojnë dënimin dhe u japin njerëzve një bazament social dhe kulturor, janë shumë interesante.”
Programi i leximit adreson problemin e mbipopullimit dhe u jep të burgosurve një themel kulturor, tha ai. Leximi është një mjet i rëndësishëm sepse një përqindje e madhe e të burgosurve brazilianë janë me prejardhje ekonomike të dobët dhe kanë pak arsimim.