Manolita Hida- Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh

… “Sepse mbetesh ndër të vetmet figura të cilat do të shkëlqejnë fort në qiellin e historisë shqiptare. Pas gjithë polemikave mbi figurën tënde, mbetesh e vetmja figurë që ka luftuar fort për Shqiperinë, edhe pse kanë kaluar mbi 5 shekuj. Do duhej të ishe pikërisht ylli udhëheqës për politik bërjen dhe burimi frymëzues për të gjithë ne!”-M.Hida


“Kanë kaluar 500 vjet dhe karakterizohemi nga Europa si të paaftë për të formuar shtetin, ndonëse sapo kemi festuar 96-vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptar.
Pavarësisht kësaj sot në arenën shqiptare vështirë të gjendet ndonjë udhëheqës apo politikan për mbrojtjen e çështjeve shqiptare (ndërkohë që Çamëria është një plagë ende e hapur që vazhdon të pikojë “gjak”) sikundër ka qenë Gjergj Kastriot Skënderbeu, qoftë në arenën diplomatike qoftë në arenën e luftës.
I lindur në një familje shqiptare (në zonat midis Krujës dhe Matit, e që sot kjo familje po polemizohet si serbe?!), ai ishte më i vogli i 8-të fëmijëve të tjerë: 5 motrave dhe 3 vëllezërve.
Në moshën 9-vjeçare ai dërgohet peng tek sulltani bashkë me tre vëllezërit e tij. Për edukimin e tij u shpenzua, dhe ai merrte mësime private, gjë që do ta ndihmonte edhe më vonë.
Ndërsa pritej që ai të bëhej një mëkëmbës i nënshtruar ndaj perandorit osman, ai largohet dhe kthehet në Shqipëri sapo mëson për vdekjen e të atit.
Për formimin e personalitetit të individit luajnë rol faktorët gjenetik-trashëgues, mjedisor dhe social. Nëse do ti referoheshim Frojd-it personaliteti i një të rrituri është i formuar që në moshën 5-vjeçare dhe faktorët e tjerë që mund të ndikojnë më pas thjesht mund të bëhen pjesë e personalitetit ekzistues por jo ta ndryshojnë atë. Në këtë formë, teoria e Frojd-it shpjegon dhe reagimin e tij pasi Skënderbeu deri në moshën 9-vjeçare u “mbrujt” dhe u “ushqye” në tabanin kombëtar shqiptar, dhe faktorët që ndikuan më vonë thjesht u bënë pjesë e këtij “mozaiku për të formuar të tërën”.
Barleti ka shkruar:
“ ….Dhe përpara se fuqia trupore të arrinte në një shkallë me guximin e shpirtit, ndërsa vrulli shpirtëror nuk dukej ende i mjaftë për t’u bërë ballë mundimeve të luftës, i lindi dëshira që duke u matur ditë për ditë me moshatarët e vet në ndeshje të ndryshme, për ti parë njerëzia, të siguronte për vete simpatinë e të gjithëve dhe sidomos të vetë sulltanit, të fitonte çdo ditë një farë lavdie dhe kështu të kishte të shtruar që më parë rrugën drejt shkëlqimit të ardhshëm dhe rritjes së emrit….”
Duke iu referuar konstelacionit familjar të Adlerit, në të cilën ai ka pohuar se : “….fëmija i fundit llastohet nga prindërit, nuk rrëzohet kurrë nga froni dhe ka prirjen të jetë në qendër të vëmendjes.”
Sipas përshkrimit të Barletit del e shprehur shumë qartë prirja për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve por edhe më vonë ai do të shfaqet si kërkues legjitim i fronit atëror.
Vihen re në këtë formë se përveç prirjeve për vëmendje, duke iu përmbajtur përshkrimeve të Barletit shfaqen edhe aftësitë e tij si një individ kalkulativ për ti paraprirë gjërat, pra tek ai fillojnë të shfaqen ato veti të cilat bëjnë atë që sot quhet lider.
Inteligjenca si dhe shpirti kreativ që e karakterizonin e ndihmuan në rrugën e tij. Ai ishte i bindur së pari se duhej të arrihej të kapërcehej përçarja midis princave shqiptar dhe se e mira e përbashkët ishte më e rëndësishme se ajo individuale. Gjergji nënshtroi princat dhe këtë e arriti falë mbështetjes që gëzonte në popull, autoritetit dhe lidhjeve strategjike-diplomatike nëpërmjet martesave. Këtu dalin më plotësisht në pah aftësitë e tij për të tërhequr pas vetes “masën” por duke i atribuar atyre edhe veti e fitore të arritura. Kështu falë tij arrihet të krijohet shteti i parë feudal shqiptar.
Tek ai janë të shfaqura ndjenja të vetëefikasitetit-nuk u dorëzua kurrë përballë sfidave që iu paraqitën edhe kur këto vinin në rrezik jetën e tij, por me energjinë e tij të pashtershme ai kishte të zhvilluar zhdërvjelltësinë dhe fleksibilitetin në të menduar për gjetjen e zgjidhjeve të shpejta e të mençura në funksion të situatës si dhe karakterin popullor.
Në figurën e tij shfaqen dy norma shoqërore që motivojnë altruizmin: norma e ndërsjelltësisë dhe ajo e përgjegjësisë shoqërore.
Gjithashtu ajo që e bënte të suksesshëm ishte se populli admironte tiparet e tij trupore.
Njerëzit më të jashtëzakonshëm janë ndonjëherë ata që dinë të jenë mbi situatën, dinë të përshtaten-ta shfrytëzojnë atë por që gjithashtu kanë të zhvilluar ndjenjën e identitetit, empatisë, veti këto si dhe ato që parashtrova më lart që e bëjnë individin të jetë më së pari vetvetja dhe autentik por edhe atë që shqetëson sot të gjithë “të qenurit i shëndetshëm”.

Nentor 2008.”