5 Efektet Psikologjike: Një përvojë e mundshme pas mbijetimit të një tërmeti

Manolita Hida

Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh

Ditën e sotshme, më datë 21.09.2019, Shqipëria u përfshi nën valët tronditëse të një tërmeti prej 5.8 ballë i shkallës rihter.

Tërmetet janë një fenomen natyror, që shkaktojnë jo pak panik e dëme njerëzore e materiale.  Të gjithë ne, sot, përballemi me atë që mbeti pas, lëndimet, rregullimi dhe pastrimi i rrëmujës së lënë pas, e vazhdimin përpara të jetës e kthimit në normalitet.

Menjëherë pas ngjarjes ne shohim fotografi të ndërtesave të shkatërruara apo të dëmtuara, statuse në facebook mbi miqtë tanë të cilët shënojnë se janë mirë e të sigurtë nga tërmeti, etj.

Por ajo që ne nuk mund të shohim ose kuptojmë janë efektet e qëndrueshme që një tërmet mund të ketë tek të mbijetuarit e tij. Ne zakonisht nuk mund të shohim mendimet dhe ndjenjat e tyre – ne mund të imagjinojmë vetëm atë që diçka kaq shkatërruese mund të bëjë për psiqikën e mendjes së një personi. Të paktën, ky është rasti për shumicën prej nesh. Por ka një ekip atje tej që merret me atë që mund të shkaktojë një tërmet i madh – efektet psikologjike , e këta janë psikologët. Dhe ata janë këtu për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë disa nga efektet më të zakonshme:

1) Hipervigjilencë

Sipas Carolyn Wagner, këshilltar profesional dhe psikoterapist e lishencuar në Linebarger & Associates, të mbijetuarit e tërmeteve shpesh përjetojnë hipervigjilencë. “Çfarëdo lloj zhurme e vogël mund tju bëjë të vraponi për gjetur një strehë të sigurtë për tu mbrojtur. Një prekje ndonëse pa qëllim të keq qoftë edhe nga një njeri i dashur për ju mund tju bëjë që të bërtisni me frikë. Kjo për shkak se trupi është në gadishmëri të lartë për një kërcënim tjetër mbi sigurinë tuaj, e cila mund të bëjë që të ndiheni skajshmërisht nervoz, ”thotë ajo. Tipike, kjo përgjigje mund të largohet vetë, por edhe mund të jetë karakteristikë e diçkaje shumë më serioze nëse nuk ndodh, si PTSD (Çrregullimi i Stresit Post Traumatik).

2) Ankthi dhe Depresioni

Pasi jeta e një personi kërcënohet dhe merr një drejtim tjetër nga një tërmet, nuk është e rrallë që këta persona të tregojnë shenja ankthi dhe / ose depresioni, thotë Nikita Banks, një punonjëse sociale klinike e lishencuar dhe psikoterapiste në Brooklyn, New York. Të dy sëmundjet paraqesin simptoma të ngjashme si lodhja, humbja e gjumit, ulja e interesit për aktivitetet e përditshme, nervozizmi dhe pamundësia për t’u përqendruar. Këto simptoma mund të shfaqen dhe të kalojnë me kohën, por nëse ato rezultojnë të qëndrueshme, është e rëndësishme të kërkoni trajtim.

3) Bllokimi mendor

Sipas Banks, është gjithashtu tipike për të mbijetuarit e tërmeteve dhe katastrofave të tjera natyrore që të rijetojnë vazhdimisht ngjarjen në kokën e tyre. “Është e nevojshme t’i ndihmojmë ata që ti përmbahen dhe të kenë një rutinë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që ti rikthehen normalitetit pasi kjo do t’i ndihmojë ata të bëhen më të sigurt në mjedisin e tyre,” thotë ajo.

4) Fobia nga Tërmetet

Dr Craig Prill, Ph.D., psikolog i lishencuar dhe Drejtor i Qendrës Prill për Menaxhimin e Sulmit të Ankthit në Los Angeles, thotë se në këtë fobi ose frikë, “fokusi është dëshira për të kontrolluar mundësinë e ndodhjes së një tërmeti tjetër. ” Sidoqoftë, kjo është padyshim jashtë kontrollit tonë dhe dështimi rezulton në ankth, spjegon ai.

5) PTSD (Çrregullimi i Stresit Post Traumatik)

Sipas psikologut klinik Dr. Jana Scrivani, Psy.D., i cili personalisht ka përjetuar një tërmet vetë, “shumica e njerëzve me ndikim të drejtpërdrejtë do të shfaqin shumë simptoma psikologjike që duken si PTSD”.  Pjesa më e madhe tyre do të rimëkëmben, ndërsa një pjesë e vogël do të zhvillojnë PTSD.” Simptomat e PTSD përfshijnë frikë të fortë, flashbacke të ngjarjes dhe makthe. Ky është efekti psikologjik më i rëndë dhe i qëndrueshëm që një tërmet mund të ketë te një individ.